Divanë të amortizuar, frigoriferë të dalë jashtë përdorimit dhe orendi që nuk u duhen më familjeve nuk do të duhet të përfundojnë në rrugë apo pranë kazanëve të mbetjeve.
Bashkia Shkodër ka nisur një shërbim të posaçëm për grumbullimin dhe largimin e sendeve të mëdha të vjetra. Nisma është pritur mirë që në ditën e parë, me banorët që kanë nxjerrë orenditë e tyre në pikat e përcaktuara.
Grumbullimi kryhet çdo të enjte, nga ora 08:00 deri në 12:00. Pas përfundimit të këtij orari, ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike ndërhyjnë për t’i mbledhur dhe transportuar orenditë nga zonat e banimit.
Qëllimi është të shmanget braktisja e mobilieve dhe pajisjeve të mëdha në hapësirat publike, duke i dhënë qytetarëve një alternativë të rregullt për largimin e tyre.
Bashkia u bën thirrje banorëve që të respektojnë orarin dhe pikat e grumbullimit, pasi funksionimi i shërbimit varet edhe nga bashkëpunimi i tyre.
Një praktikë e organizuar që synon t’i japë fund pamjeve të orendive të hedhura në rrugë dhe pranë kontenierëve, duke kontribuar në një Shkodër më të pastër.

