34 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, ndërsa 5 prej tyre vijojnë aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, fokusi kryesor i forcave operacionale mbetet në Malin e Dajtit, ku zjarret janë riaktivizuar në disa pika.
Në Malin e Dajtit, flakët vijojnë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës. Operacioni ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa në terren janë shtuar edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja po mbështetet nga forcat zjarrfikëse, strukturat e ADZM-së, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun e Dibrës mbeten aktive dy vatra. Njëra ndodhet në zonën Ballenjë–Kostenjë, ku po punojnë 6 forca të AZM Dibër, ndërsa tjetra në Qafën e Helmës në Bulqizë, e cila vijon të monitorohet. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Situata problematike vijon edhe në qarkun e Elbasanit, ku janë riaktivizuar vatrat në Malin e Dardhës, në Librazhd, dhe në Malin e Qukësit, në Prrenjas. Forcat në terren po punojnë për kontrollin e situatës, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk rrezikohen zonat e banuara.
Ndërkohë, situata paraqitet më e qetë në Pukë. Në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk raportohen më vatra aktive, por zonat vijojnë të monitorohen për të shmangur riaktivizimet.

