Një 37-vjeçar nga Londra është dënuar me dy vite burg, pasi policia i gjeti më shumë se 4.5 kilogramë kanabis dhe mbi 12,700 paund cash në automjetin me të cilin dyshohet se transportonte drogë nga Anglia drejt Uellsit.
Florin Kasmi, 37 vjeç, banues në Golders Green, Londër, u ndalua nga policia në një parkim makinash në Carmarthen, pasi autoritetet kishin identifikuar një itinerar të dyshimtë të automjetit të tij tip MG, ngjyrë e bardhë.
Në bagazhin e automjetit, efektivët gjetën një pako të mbështjellë me qese të zezë, brenda së cilës ndodheshin katër qese të mbyllura hermetikisht me kanabis. Sasia totale e drogës rezultoi 4.54 kilogramë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 40 mijë paund.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti gjithashtu në kutinë e dorezave një qese plastike të bardhë me më shumë se 12,700 paund në para cash.
Kasmi u arrestua dhe gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit zgjodhi të mos japë deklaratë. Megjithatë, një ditë më pas, në Gjykatën e Magjistratëve në Llanelli, ai pranoi fajësinë për posedim të lëndëve narkotike të Klasës B me qëllim shpërndarjen, si dhe për posedim të pasurisë kriminale.
Më 18 gusht 2026, Kasmi u rikthye në gjykatë, ku u dënua me dy vite burg.
Oficeri i hetimit Tom Morgan, pjesë e Njësisë për Krimin e Organizuar dhe të Rëndë të Policisë Dyfed-Powys, deklaroi se shpërndarja e kanabisit është një vepër e rëndë kriminale dhe se goditja e personave të përfshirë në këtë aktivitet ndihmon në çmontimin e rrjeteve të drogës.
“Furnizimi me kanabis është një krim serioz. Duke i ndaluar këta persona, ne largojmë drogat e dëmshme nga rrugët tona dhe godasim rrjetet më të gjera të drogës që shfrytëzojnë njerëzit vulnerabël”, tha Morgan.
Ai paralajmëroi gjithashtu personat që udhëtojnë drejt zonës për të shpërndarë drogë se do të përballen me ndjekje penale.
“Pavarësisht se nga vini, nëse sillni drogë në zonën Dyfed-Powys, do të kapeni dhe do të përballeni me masa të ashpra”, u shpreh oficeri.
Sipas policisë, dënimi i Kasmit tregon angazhimin e autoriteteve për ta bërë zonën Dyfed-Powys sa më të vështirë për personat e përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

