Shkodrani Senad Lekaj do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Botëror të Socca 6×6, turne që këtë vit zhvillohet në Gjermani.
Futbollisti ka marrë ftesën nga përfaqësuesja kuqezi dhe do të sjellë eksperiencën e tij në këtë kompeticion. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lekaj përmes rrjeteve sociale, duke shprehur kënaqësinë për mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë.
Lekaj thotë se është në formë të mirë fizike dhe se synon të japë maksimumin në fushë për fanellën kuqezi.
Shqipëria do ta nisë aventurën në Botëror më 29 gusht, me përballjen ndaj Uruguajit në orën 21:00.
Emri i Senad Lekajt është i njohur në futbollin shkodran. Ai ka qenë më herët pjesë e Vllaznisë së futsallit, ndërsa në futbollin profesionist ka luajtur për disa skuadra, përfshirë Vllazninë, Adën, Trepçën, Burrelin, Veleçikun, Tërbunin, Kastriotin, Besëlidhjen dhe Vëllaznimin.

