Albin Kurti paralajmëron hapjen e urës së Ibrit: Është absurde të mbahet e mbyllur

Publikuar me datë:

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se institucionet vendore po mbajnë kontakte të vazhdueshme me KFOR-in për të siguruar hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga ana e Policisë së Kosovës.

Gjatë një konference për media të mbajtur më 22 gusht, Kurti theksoi: “Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”. Ai u pyet mbi afatin e hapjes së urës kryesore në Mitrovicë dhe bëri të ditur se pasditen e së shtunës do të zhvillojë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, ndërsa përshkroi si “absurde” vazhdimin e mbylljes së urës.

Kurti shtoi: “Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”.

Aktualisht, ura kryesore mbi lumin Ibër është e hapur vetëm për këmbësorët, ndërsa automjetet nuk lejohen të qarkullojnë në të. Që prej përfundimit të luftës, kontrollin mbi urën e ka mbajtur misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, pasi ajo ka qenë një pikë e ndjeshme përplasjesh ndëretnike ndër vite.

Së fundi, KFOR-i ka lajmëruar për fillimin e një tërheqjeje graduale nga ura, duke përmendur përmirësimin e gjendjes së sigurisë. Kjo lëvizje ka nxitur reagime të ashpra nga Serbia.

Këto zhvillime pasuan pas një deklarate nga një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë më 20 gusht, ku ai theksoi se çdo vendim lidhur me rihapjen e urës për automjete duhet të “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

Zyrtari vijoi: “KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”.

Përballë reduktimit të prezencës së KFOR-it mbi urë, Serbia ka shprehur kundërshtime të forta. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar shefit të NATO-s, Mark Rutte, përmes një letre, duke i kërkuar ndërprerjen e këtij procesi.

Vuçiq njoftoi në Instagram më 20 gusht: “Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”.

Sipas tij, largimi i KFOR-it nga ura në këtë periudhë do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pohuar se përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si “kërcënim për komunitetin serb” apo si dëshmi të paqëndrueshmërisë në Kosovë, “nuk përputhen me realitetin në terren”.

Maqedonci akuzoi gjithashtu Serbinë se synon të zhvendosë vëmendjen nga çështjet si zbulimi i varrezave masive në veri të Kosovës, gjetja e armatimit pranë vendndodhjeve të mbetjeve mortore, si dhe veprimet kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës serbe dhe aktiviteteve subversive ndaj Kosovës.

Ai shtoi: “Ky është një proces [procesi i optimizimit të KFOR-it] i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë”.

Sipas një zyrtari të aleancës, tërheqja graduale e trupave të NATO-s nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili zhvillohet në mënyrë të plotë transparente dhe mund të anulohet në varësi të gjendjes së sigurisë.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjithë”, u shpreh zyrtari i NATO-s për REL.

Qeveria e Kosovës kishte bërë të ditur në korrik të vitit 2024 qëllimin për të hapur urën kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve, një veprim që nxiti reagime dhe tensione mes bashkësisë ndërkombëtare.

Paralelisht, autoritetet kosovare kanë ndërtuar dy ura të tjera afër urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synim lidhjen ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Ura kryesore mbi lumin Ibër mbetet ndër pikat më kritike në aspektin e sigurisë për veriun e Kosovës./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related