FIFA ka marrë masa të forta disiplinore ndaj lojtarëve dhe stafit të Argjentinës e Spanjës, pas incidenteve të ndodhura pas finales së Kupës së Botës 2026.
Rreth një muaj pas ndeshjes finale mes dy përfaqësueseve, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës i FIFA-s ka vendosur dënime për shkak të akteve të dhunës të shënuara gjatë festimeve që pasuan përballjen.
Leandro Paredes është përballur me ndëshkimin më të ashpër: mesfushori argjentinas do të mungojë në 10 ndeshjet e ardhshme dhe duhet të paguajë 90 mijë dollarë gjobë për sjelljen e tij të dhunshme. Ai ishte përfshirë në një konflikt me Gavi-n dhe lojtarë të tjerë të Spanjës, duke marrë edhe përjashtimin nga ndeshja.
Nga ana tjetër, Nahuel Molina është dënuar me 7 ndeshje pezullim dhe 90 mijë dollarë gjobë, pasi ka goditur Rodrin gjatë përplasjes mes lojtarëve.
Ndër të ndëshkuarit është edhe Thiago Almada, i cili ka marrë një ndeshje pezullim dhe 30 mijë dollarë gjobë, pasi u akuzua se mbajti Gavi-n në momentin kur Paredes ndërhyri me dhunë.
Pjesëtarit të stafit teknik të Argjentinës, Roberto Ayala, FIFA i ka vendosur një dënim me 3 ndeshje pezullim dhe 30 mijë dollarë gjobë, për shkak të një goditjeje me grusht ndaj Dani Olmos.
Sa i përket Spanjës, i vetmi lojtar i penalizuar është Gavi, i cili është pezulluar për një ndeshje dhe duhet të paguajë 30 mijë dollarë gjobë.
Ndëshkimet e dhëna do të vlejnë për ndeshjet e ardhshme të ekipeve përkatëse.
Me këto vendime, FIFA i ka dhënë fund procesit disiplinor që ishte hapur pas finales së Kupës së Botës 2026, e cila u karakterizua nga tensione dhe përplasje edhe pas mbylljes së takimit.

