Ministria e Mbrojtjes raportoi se deri në orën 17:00 të ditës së sotme janë evidentuar 24 vatra zjarri në vend, nga të cilat 8 janë ende aktive, 4 monitorohen nga afër dhe 1 konsiderohet nën kontroll të plotë.
Për menaxhimin e situatës së zjarreve është vendosur në veprim një forcë kombëtare prej të paktën 369 pjesëtarësh nga strukturat vendore dhe rajonale, mbështetur nga 270 trupa të Forcave të Armatosura. Në total, në terren janë angazhuar së paku 639 persona, ndërsa FA kanë vënë në dispozicion edhe 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor për operacionet ajrore.
Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun të Pukës, po zhvillohet një aksion i zgjeruar me 255 trupa dhe 11 mjete zjarrfikëse. Në këtë operacion janë përfshirë 50 zjarrfikës të MZSH-së nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra, 14 punonjës të shërbimit pyjor, 68 të punësuar të shërbimeve vendore, 70 vullnetarë e banorë lokalë, si dhe 53 efektivë të Forcave të Armatosura. Reagimi po mbështetet edhe nga 2 helikopterë të FA-së. Gjatë ditës, situata është përmirësuar në masivet pyjore të Gojanit, lagjen Meshursh, Gojan i Vogël dhe Gjegjan. Megjithatë, flakët mbeten aktive drejt Gojanit të Vogël dhe në zonën e Prozhemit. Në lagjen Pepaj të Gojan i Madh është konstatuar agravim i situatës, pasi zjarri i është afruar banesave. Deri tani, 4 shtëpi të pabanuara janë shkatërruar nga flakët, ndërsa një banesë e banuar, e cila rrezikohej, është shpëtuar. Për të mbrojtur banesat janë vendosur 5 automjete zjarrfikëse dhe 30 ushtarakë; ndërkohë, ndërhyrjet ajrore po vijojnë me 1 helikopter.
Ndërkohë, në Shtanë të Mirditës, strukturat njerëzore dhe logjistike të bashkisë janë vënë në shërbim të ndërhyrjes, e cila mbështetet nga 2 helikopterë dhe 2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Për shkak të përhapjes së flakëve dhe rrezikut për banesat, Policia e Shtetit ka kryer evakuimin e banorëve të kërcënuar, ndërsa në terren është vendosur edhe një ambulancë.
Operacioni zjarrfikës në Dukat, Vlorë, vazhdon me pjesëmarrjen e 2 automjeteve zjarrfikëse dhe 9 efektivëve të MZSH-së, 8 punonjës të shërbimit pyjor, 12 anëtarë të Njësisë Administrative Orikum dhe 40 ushtarakë të Forcave të Armatosura. Nga ajri, ndërhyrja mbështetet me 2 avionë Air Tractor. Edhe pse vatra është zgjeruar drejt zonës malore, aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Forcat zjarrfikëse në Dajt, Tiranë, po punojnë për neutralizimin e vatrave të mbetura me 30 ushtarakë të FA-së, 13 zjarrfikës të MZSH-së, 9 punonjës të AZM-së dhe përkrahje nga 1 helikopter i FA-së. Një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht dhe nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Sa i përket situatës në Mal Milot të Kurbinit, zjarri u shua pas përfshirjes së 7 zjarrfikësve të MZSH Kurbin, 12 punonjësve të Policisë, 35 të forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së, të ndihmuar nga mjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter i FA-së për operacione ajrore. Pas ndërhyrjes, zona po mbahet nën vëzhgim të pandërprerë.

