Të paktën 100 veta dyshohet se kanë humbur jetën pas një rrëshqitjeje dheu në një minierë të improvizuar ari në perëndim të Republikës Qendrore Afrikane, pranë kufirit me Kamerunin.
Tragjedia ndodhi të martën rreth orës 14:00, me orën lokale, në një minierë në zonën e Zaboye, afro 50 kilometra nga qyteti Bamboua.
Burimet lokale raportojnë se një pjesë e minierës u shemb, duke zënë nën dhe dhjetëra minatorë dhe njerëz të tjerë të pranishëm në atë vend.
Ekipet e kërkim-shpëtimit reaguan menjëherë dhe kanë nisur punën në terren për të nxjerrë të bllokuarit nën masën e dheut.
Shifrat për viktima kanë qenë të paqëndrueshme në raportimet e para. Fillimisht, u njoftua se 33 persona kishin humbur jetën, por burime të tjera lokale e çojnë bilancin në të paktën 100 të vdekur.
Minierat e arit të kësaj zone funksionojnë në kushte të vështira, pa masa të mjaftueshme sigurie, çka i vë punëtorët shpesh përballë rreziqeve të shembjeve dhe aksidenteve të tjera.
Autoritetet pritet të publikojnë informacione të reja rreth numrit të viktimave dhe të shpëtuarve, ndërsa operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë.

