Fluksi i lartë i automjeteve gjatë pikut të sezonit turistik ka sjellë ngarkesë të shtuar në rrugët e qarkut të Shkodrës. Krahas pushuesve që udhëtojnë drejt zonave turistike, në trafik janë shtuar edhe emigrantët që kanë mbërritur në Shqipëri, si dhe automjetet që hyjnë përmes pikave kufitare të Hanit të Hotit dhe Muriqanit.
Sipas të dhënave të Policisë, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në pikat kufitare të qarkut janë regjistruar rreth 2.14 milionë hyrje-dalje shtetasish dhe afro 950 mijë automjete.
Përballë kësaj situate, shërbimet e Policisë Rrugore janë shtuar në akset kryesore urbane, interurbane dhe rurale, me fokus menaxhimin e trafikut, parandalimin e bllokimeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Krahas patrullimeve, po përdoren edhe dronë, radarë dhe automjete inteligjente për monitorimin e qarkullimit.
Masat e kontrollit kanë vijuar edhe gjatë ditëve të fundit. Nga 30 korriku deri më 6 gusht, efektivët e Policisë Rrugore të Shkodrës kanë evidentuar 1,223 shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, për të cilat janë vendosur masa administrative.
Një vështirësi tjetër për qarkullimin krijohet në nisje të javës, kur në rrugë rikthehen një numër i madh automjetesh të tonazhit të rëndë, pas kufizimeve të vendosura gjatë fundjavës.
Gjatë sezonit veror, lëvizja e mjeteve mbi 7.5 tonë është e kufizuar në ditë dhe orare të caktuara, pikërisht për të reduktuar ngarkesën në segmentet ku fluksi i automjeteve është më i lartë.
Policia Rrugore po orienton drejtuesit drejt itinerareve alternative në zonat problematike dhe u bën apel të respektojnë sinjalistikën, kufizimet dhe udhëzimet e efektivëve në terren.
Me sezonin turistik në kulmin e tij, trafiku mbetet një ndër problematikat kryesore në qarkun e Shkodrës. Shërbimet e shtuara dhe kontrollet në rrugë pritet të vijojnë gjatë gjithë periudhës së fluksit, me synim shmangien e bllokimeve dhe parandalimin e aksidenteve.

