Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka reaguar ashpër pas emërimit të një drejtori të ri në një shkollë të mesme në Ulqin, duke e cilësuar vendimin si një veprim poshtërues ndaj qytetit dhe komunitetit shqiptar.
Në reagimin e tij, Gjeloshaj shpreh kundërshtimin veçanërisht për faktin se drejtuesi i ri, sipas tij, vjen nga një komunë tjetër dhe nuk flet gjuhën shqipe, ndërsa shkolla zhvillon mësim edhe në këtë gjuhë.
Ai e konsideron vendimin si më shumë se një zgjedhje administrative, duke e cilësuar atë si “provokim institucional” dhe “shprehje të albanofobisë”.
“Është e papranueshme që në krye të një shkolle, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, të emërohet një person që nuk e flet shqipen”, shprehet Gjeloshaj.
Sipas tij, emërimi lë të kuptohet se në vetë Ulqinin nuk ka profesionistë të arsimuar dhe të aftë për të drejtuar institucionin.
Gjeloshaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Ulqinit, prindërve, mësuesve dhe punonjësve të shkollës që të kundërshtojnë atë që ai e cilëson si “poshtërim”.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu një reagim politik nga Forumi Shqiptar, ndërsa u ka bërë apel edhe partive dhe organizatave shqiptare që të bashkohen në kundërshtimin e çdo forme diskriminimi ndaj shqiptarëve.
“Këtu nuk ka vend për dallime partiake. Kur cenohen dinjiteti, gjuha dhe të drejtat tona, përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, demokratike dhe e vendosur”, deklaron Gjeloshaj.
Në përfundim, ai shprehet se institucionet duhet t’i japin fund, sipas tij, “shovinizmit dhe albanofobisë” ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.

