Një aksident tragjik ka ndodhur pranë heliportit të Sifnos, në zonën e Tholos në Greqi, ku një helikopter privat u rrëzua duke shkaktuar gjashtë viktima.
Mes të vdekurve janë piloti dhe pesë pasagjerët që ndodheshin në bord. Sipas të dhënave fillestare, helikopteri kishte nisur fluturimin nga Markopoulo dhe ra gjatë tentativës për të kryer ulje në ishull.
Pas rrëzimit, mjeti shpërtheu në flakë, duke u ndalur pranë disa banesave. Në vendin e ngjarjes u dërguan menjëherë zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit, të cilat filluan operacionet për shuarjen e zjarrit si dhe për nxjerrjen e trupave nga rrënojat.
Autoritetet kanë hapur hetimet për të përcaktuar arsyet që çuan në rrëzimin e helikopterit. Të dhëna të mëtejshme mbi identitetet e viktimave dhe rrethanat e plota të aksidentit pritet të publikohen në vijim.

