Republika Demokratike e Kongos është duke u përballur me shpërthimin më të rëndë të ebolës në historinë e saj, ku numri i të vdekurve ka kapur shifrën 2325 dhe rastet e konfirmuara kanë arritur në 4945.
Përhapja e virusit po zhvillohet me një shpejtësi të lartë, duke shkaktuar shqetësim të madh. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 101 raste të reja, ndërkohë që virusi është shtrirë në 6 prej 26 provincave të vendit. Përhapja përtej kufijve vazhdon të jetë një kërcënim: deri më 12 gusht, në Ugandë ishin konfirmuar 20 raste, ndërsa të infektuar të tjerë janë trajtuar në Gjermani dhe është raportuar një rast i vetëm në Francë.
Përmasat e këtij shpërthimi janë veçanërisht shqetësuese krahasuar me epideminë e mëparshme të Ebolës në Afrikën Perëndimore gjatë viteve 2014–2016. atëherë, nevojiteshin afro pesë muaj që vdekjet të arrinin shifrën 1000, ndërsa tani numri i viktimave ka kaluar 2000 në më pak se tre muaj.
Kjo përbën shpërthimin e 17-të të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos që nga zbulimi fillestar i virusit rreth pesë dekada më parë. Autoritetet vendase dhe organizatat ndërkombëtare janë duke ndërmarrë masa për të ndalur përhapjen, përfshirë zbulimin e hershëm të rasteve, izolimin e pacientëve dhe gjurmimin e kontakteve. Megjithatë, me dinamikën aktuale të infeksionit, epidemia konsiderohet si një nga emergjencat më të mëdha shëndetësore që po kërcënon Afrikën Qendrore.

