I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka mbërritur në Izrael, ku pritet të takohet të hënën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Vizita vjen pas një raundi të rrallë bisedimesh që Kushner zhvilloi me përfaqësues të Hamasit për zbatimin e planit të paqes për Gazën, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Muajin e kaluar, Bordi i Paqes, organizata ndërkombëtare e drejtuar nga Trump, njoftoi se kishte arritur një marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Megjithatë, javën e kaluar Izraeli hodhi poshtë planin me 15 pika, i cili parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe rindërtimin e territorit nën një administratë të re civile palestineze.
Të dielën, tetë vende me shumicë myslimane – Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Arabia Saudite, Jordania, Turqia, Pakistani dhe Indonezia – dënuan refuzimin Izraelit, duke paralajmëruar se ai mund të dëmtojë përpjekjet për paqe.
Trump drejton Bordin e Paqes, një organizatë ndërkombëtare e krijuar fillimisht për të sjellë paqe në Gaza, por që më vonë e zgjeroi mandatin e saj për të trajtuar konflikte edhe në pjesë të tjera të botës.
Një zyrtari palestinez, I tha BBC-së se Kushner u takua në Egjipt me një delegacion të udhëhequr nga lideri i ri i Hamasit, Khalil al-Hayya. Pas takimit, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësve dhe Bordit të Paqes që të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për të miratuar planin e propozuar.
Takimi mes Kushnerit dhe al-Hayyas konsiderohet kontakti i parë i këtij niveli që nga marrëveshja e armëpushimit në Gaza vitin e kaluar.
Bisedimet raportohet se janë fokusuar te çarmatimi i Hamasit, tërheqja e forcave izraelite dhe zgjerimi i ndihmave humanitare për popullsinë e Gazës.
Ndërkohë, Netanyahu përballet me presion të madh politik përpara zgjedhjeve të tetorit. Ai ka deklaruar se Izraeli nuk do të tërheqë trupat nga Gaza derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht.
“Izraeli e refuzon dokumentin me 15 pika të Bordit të Paqes për Gazën. Ushtria izraelite nuk do të tërhiqet derisa Hamasi të çarmatoset realisht”, deklaroi Netanyahu javën e kaluar.
Edhe brenda kabinetit izraelit ka kundërshtime ndaj planit. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e quajti draftin “të papranueshëm” dhe kërkoi vazhdimin e operacioneve ushtarake në Gaza.
Megjithëse armëpushimi i arritur në tetor të vitit të kaluar mbetet zyrtarisht në fuqi, sulmet dhe operacionet ushtarake kanë vazhduar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 1.200 persona janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa UNICEF raporton se mes viktimave ka të paktën 300 fëmijë.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi ofensivën ushtarake në Gaza, ku sipas autoriteteve lokale janë vrarë mbi 73.000 njerëz, përfshirë më shumë se 21.000 fëmijë.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 1.9 milionë banorë, ose 90% e popullsisë së Gazës, janë zhvendosur që nga fillimi i konfliktit. /BBC/

