Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po merr jetë çdo 30 minuta, sipas zyrtarit kryesor humanitar të OKB-së, i cili iu drejtua komunitetit ndërkombëtar me thirrjen për të “zgjuar” dhe për të “mobilizuar” përballë krizës.
“Ebola po fiton në Republikën Demokratike të Kongos. Nuk mund të lejojmë që virusi të mbingarkojë reagimin tonë“, deklaroi Tom Fletcher pas një takimi të jashtëzakonshëm me drejtues të tjerë të agjencive të OKB-së.
Epidemia e 17-të e Ebolës në historinë e vendit u shpall më 15 maj nga autoritetet e Republikës Demokratike të Kongos, disa javë më vonë nga sa rekomandonin ekspertët. Vetëm dy ditë pas kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e kategorizoi situatën si një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar – niveli i dytë më i lartë i alarmit global.
Derisa përpjekjet për të ndaluar përhapjen e virusit nuk kanë dhënë ende rezultat, infrastruktura shëndetësore e Kongos, një prej vendeve më të varfra në botë, po përballet me sfida të mëdha, duke përfshirë mungesën e pajisjeve dhe burimeve esenciale.
Fletcher theksoi se kjo epidemi është “përhapur më shpejt se çdo epidemi tjetër e regjistruar ndonjëherë” dhe “po vret një person çdo 30 minuta”.
Midis viteve 2018 dhe 2020, Kongoja përjetoi shpërthimin më vdekjeprurës të Ebolës, me afro 2,300 viktima nga 3,500 raste të regjistruara.
Bilanci më i fundit i epidemisë aktuale tregon se, tre muaj pas shpalljes, 2,128 persona kanë humbur jetën nga gjithsej 4,556 raste të konfirmuara në laborator, njoftojnë autoritetet e RDK-së.
“Sot dërgova në vijën e parë edhe 20 anëtarë të stafit tonë. Por kjo është një thirrje zgjimi. Na duhet shpejtësi, shkallëzim dhe solidaritet” për të parandaluar rrezikun që “virusi të na përparojë edhe më shumë“, potencoi Fletcher në deklaratën e tij.
Ai shtoi gjithashtu se janë vënë në dispozicion 30.5 milionë dollarë shtesë nga Fondi Qendror i Rezervës për Reagim ndaj Emergjencave (CERF) për të forcuar reagimin shëndetësor ndaj epidemisë.

