Një lajm i trishtë ka tronditur familjen, miqtë dhe komunitetin e Pukës. Arlend Gjoni, me origjinë nga Berisha, është ndarë nga jeta në moshën 35-vjeçare, pasi ka pësuar një arrest të papritur kardiak.
Vdekja e tij vjen vetëm pak ditë pasi emri i Gjonit ishte bërë pjesë e vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Forbes Middle East kishte publikuar një artikull për sipërmarrësin shqiptar dhe punën e tij në teknologji, inovacion dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi.
I njohur nga rrethi i tij i afërt edhe si Ledi, Gjoni kishte ndërtuar ndër vite një profil të spikatur në fushën e biznesit dhe teknologjisë. Pas eksperiencës së emigracionit, ai iu përkushtua sipërmarrjes dhe projekteve inovative, duke e zhvilluar aktivitetin e tij kryesisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ai ishte bashkëthemelues i Prepaire Labs, një kompani që fokusohej në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe analizën e të dhënave biologjike e gjenetike.
Në shkrimin e Forbes, Gjoni kishte ndarë vizionin e tij për një mjekësi më parandaluese, ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund të ndihmonin në evidentimin e rreziqeve shëndetësore përpara shfaqjes së simptomave.
Projektet ku ai ishte angazhuar synonin përdorimin e këtyre teknologjive në fusha si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe disa lloje të kancerit, me qëllim identifikimin më të hershëm të problemeve dhe trajtime më të personalizuara.
Pikërisht kjo e bën edhe më të dhimbshme ndarjen e tij nga jeta. Një 35-vjeçar që kishte zgjedhur t’ia kushtonte një pjesë të punës së tij teknologjive që synonin zbulimin e hershëm të problemeve shëndetësore, u nda papritur nga jeta, në një moshë kur kishte ende shumë plane dhe projekte përpara.
Largimi i parakohshëm i Arlend Gjonit ka lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Për Pukën, ai mbetet një prej të rinjve që arritën të ndërtonin një rrugëtim profesional përtej kufijve të Shqipërisë.

