Violinisti i njohur shqiptar kapet me 38 kg kokainë dhe një arsenal armësh

Publikuar me datë:

Nga Gregory Leclerc, NICE MATIN

Një rast i pazakontë ka tronditur Gjykatën Penale të Nisës në Francë.

B. B., 45 vjeç, francez me origjinë shqiptare dhe violinist profesionist, u arrestua në pikën e pagesës së La Turbie, pasi doganierët zbuluan 38.3 kilogramë kokainë të fshehur në dyshemenë e automjetit të tij.

Violinisti, i cili është anëtar i orkestrës simfonike Victor-Hugo Bourgogne Franche-Comté dhe ka interpretuar në ambiente prestigjioze, po udhëtonte drejt Italisë me një Citroën C5 Aircross.

Doganierët vunë re një fryrje të dyshimtë nën tapetin e sediljes së pasagjerit. Kontrolli zbuloi dy hapësira të modifikuara në dysheme, ku ishte fshehur droga.

20 mijë euro për transportin

Në gjykatë, 45-vjeçari tha se kishte pranuar ta transportonte drogën për 20 mijë euro. Ai pretendoi se ishte futur në këtë histori përmes njohjeve të krijuara gjatë një udhëtimi në Shqipëri dhe mohoi se ishte kërcënuar.

Sipas doganave, kokaina do të kishte një vlerë prej rreth 1.141.000 eurosh në shitje me pakicë.

Por hetuesit u përballën me një tjetër zbulim edhe më shqetësues.

Në shtëpi: armë, municione dhe 88.900 euro cash

Gjatë kontrollit të banesës së tij në Francë, autoritetet gjetën:

-4 armë zjarri

-një jelek antiplumb

-qindra fishekë

-88.900 euro cash, të ndara në kartëmonedha 50-euroshe dhe të mbështjella me plastikë.

Për armët, violinisti deklaroi se ishte i regjistruar si qitës sportiv, megjithëse disa prej tyre dyshohet se nuk ishin deklaruar. Për paratë, ai tha se vinin nga një dhurim i babait të tij.

Prokurorja Sabine Néale shprehu dyshime të forta ndaj versionit të tij, sidomos për shkak të arsenalit të gjetur në banesë dhe mënyrës së sofistikuar të fshehjes së kokainës.

Ajo paralajmëroi gjykatën të mos mashtrohej nga profili publik i të pandehurit, duke e përshkruar atë si një njeri që mund të dukej “i rregullt në sipërfaqe”, ndërsa mënyra e veprimit mund të tregonte një organizim shumë profesional.

I pyetur për herë të fundit, përpara se gjykata të tërhiqej për të marrë vendimin, B. B. pëshpërit: “Nuk arrij ta kuptoj përmasën e asaj që kam bërë. E kuptoj se do të humbas gjithçka.”

Avokatja e tij kërkoi që ai të lirohej deri në gjyqin e plotë, duke theksuar integrimin e tij në shoqëri, karrierën muzikore dhe faktin se nuk kishte precedent penal. Gjykata vendosi ndryshe: violinisti u dërgua në paraburgim.

Ai do të gjykohet në tetor dhe për veprën në fjalë rrezikon deri në 10 vite burg.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Ndërhyrje e rrallë në Spitalin e Shkodrës, 37-vjeçares i rikthehen funksionet neurologjike

Një rast kompleks neurokirurgjikal është trajtuar me sukses në...

Plagoset shoferi/ Aksident në Rrugën e Kombit, automjeti përfundon në kanal

Një aksident rrugor ndodhi mesditën e sotme në Rrugën...

Biznesmeni 35-vjeçar nga Puka ndahet nga jeta, pak ditë pasi u bë pjesë e Forbes

Një lajm i trishtë ka tronditur familjen, miqtë dhe...

Aksident në Kukës, automjeti del nga rruga dhe përfundon në kanal, drejtuesi shpëton për mrekulli

Një aksident rrugor është regjistruar këtë të shtunë, 15...