Një vatër zjarri është aktivizuar mesditën e kësaj të premteje në zonën e Tërbunit, në Pukë, duke përfshirë sipërfaqe pyjore.
Flakët po favorizohen nga era dhe po përhapen në terrenin malor, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe shërbimit pyjor është vështirësuar ndjeshëm për shkak të mungesës së rrugëve që mundësojnë aksesin e mjeteve.
Forcat në terren po përpiqen të izolojnë zjarrin duke përdorur mjete rrethanore, pasi automjetet zjarrfikëse nuk mund të afrohen pranë vatrës.
Nga informacionet paraprake, zjarri nuk paraqet rrezik për banesat, stanet e bagëtive apo linjat e tensionit të lartë.
Ndërkohë, autoritetet dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Për këtë arsye është ngritur një grup hetimor, i cili po verifikon rrethanat dhe shkaqet e nisjes së flakëve në zonën e Fushë-Lajës, në malin e Tërbunit.
Situata vijon të monitorohet, ndërsa forcat në terren po punojnë për të mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarrit.

