Për të tretën ditë radhazi, flakët kanë përfshirë masivin pyjor të Lurës, ku situata duket se është përkeqësuar ndjeshëm, kryesisht pranë lagjes Koçekë, me zjarrin që po i afrohet shtëpive të banorëve.
Rreth 200 forca janë të angazhuara në terren, teksa dy avionë po vijojnë operacionet nga ajri. Në përpjekjet për shuarjen e zjarrit marrin pjesë edhe punonjës të Zonave të Mbrojtura, Bashkisë Dibër, Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, Policisë, dhe vetë banorët e zonës.
Ndërhyrja në terren është bërë tepër e vështirë për shkak të relievit të thyer të zonës. Era e fortë po e komplikon më tej situatën, duke favorizuar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara.
Forcat në vendngjarje po punojnë për të izoluar vatrat e zjarrit dhe për të penguar avancimin e tyre drejt shtëpive.

