Shfaqja “Pesë Fytyrat e Heshtjes” e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës ka marrë dy vlerësime në edicionin e 16-të të Festivalit “Etno Fest”, që u zhvillua në Kukaj të Prishtinës.
Produksioni shkodran u shpall fitues në dy kategori. Adrian Morina u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë”, ndërsa Ilir Bokshi fitoi çmimin për “Regjinë më të mirë”.
Dy çmimet i shtohen suksesit të shfaqjes, e cila ka vijuar të marrë vlerësime edhe jashtë skenës së Teatrit “Migjeni”, ku u ngjit për herë të parë në skenë më 21 dhe 22 mars.
Ky vlerësim në Festivalin “Etno Fest” përbën një tjetër sukses për trupën shkodrane dhe produksionin “Pesë Fytyrat e Heshtjes”, duke e çuar emrin e Teatrit “Migjeni” edhe në skenat kulturore të Kosovës.

