Zona e Mbrojtur e Lurës është përfshirë nga flakët, duke rrezikuar një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të vendit. Zjarri po përhapet në sipërfaqe të mbuluara me pyje, ndërsa mbetet shqetësues fakti se në situata të tilla kapacitetet shtetërore për ndërhyrje dhe shuarje duket se janë sërish të pamjaftueshme.
Lura është një prej zonave me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe biodiversitet të pasur, por edhe ajo nuk po i shpëton situatës së rënduar të zjarreve që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të Shqipërisë.
Në javët e fundit, vatra të shumta zjarri kanë shkrumbuar sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe drufrutore në qarqe të ndryshme të vendit. Nga zonat malore te territoret bujqësore, flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha në pasurinë natyrore dhe ekonomike të qytetarëve, ndërsa ndërhyrja në shumë raste ka ardhur me vonesë dhe është mbështetur kryesisht te forcat në terren.
Situata tregon se qeveria nuk ka investuar ndër vite në parandalimin dhe përballimin e emergjencave të tilla. Shqipëria përballet çdo verë me zjarre masive, por kapacitetet për monitorimin e hershëm, ndërhyrjen e shpejtë dhe shuarjen e flakëve mbeten një problem i përsëritur.
Në vend të një strategjie të qëndrueshme për parandalimin e zjarreve, forcimin e shërbimeve zjarrfikëse, pajisjen e tyre me mjete moderne dhe krijimin e kapaciteteve ajrore të mjaftueshme, qytetarët dhe komunitetet lokale përballen sërish me të njëjtën panoramë: flakët avancojnë dhe institucionet përpiqen t’i ndjekin nga pas.
Dëmet nuk janë vetëm mjedisore. Shkrumbimi i pyjeve dhe drufrutorëve prek drejtpërdrejt ekonominë e familjeve, bujqësinë, biodiversitetin dhe turizmin. Një pyll i djegur nuk rikthehet brenda një sezoni, ndërsa humbja e një ekosistemi mund të ketë pasoja për dekada.

