Kreu i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, u bëri thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar rëndësinë jetike të disiplinës në rrugë: “Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë.”
Pasi u evidentuan një sërë shkeljesh të kapura nga mjetet inteligjente, të cilat përbëjnë rrezik të madh për jetën e përdoruesve të rrugës, Hita kreu një inspektim në terren për të parë nga afër masat që po ndërmerr Policia Rrugore për të parandaluar aksidentet.
Gjatë këtij kontrolli, Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, dha një panoramë të plotë të punës në terren, duke theksuar përdorimin e teknologjisë së avancuar për monitorim.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci:
Jemi dislokuar në aksin rrugor, në rrugën interurbane kryesore “Rrogozhinë-Durrës”. Është një mjet inteligjent që e mat shpejtësinë në mënyrë automatike. Kemi edhe të tjera në të gjithë territorin e vendit, të ngjashme, që janë të dislokuara në akset kryesore të vendit, në Rrugën e Kombit, por edhe në akset e tjera kryesore rrugore, që evidentojnë çdo mjet që tejkalon normat e shpejtësisë.
Është e nevojshme që, në vazhdimësi, ne të operojmë me këto mjete inteligjente në dinamikën e përditshme të punës.
Skender Hita, Drejtori i Përgjithshëm, kërkoi rritjen e kontrollit dhe bëri apel për të gjithë përdoruesit e rrugës:
“Siguria rrugore ngelet përparësi e Policisë së Shtetit dhe, siç e shikoni, ndodhemi me mjetet inteligjente të vendosura në rrugë, me qëllim që të bëjmë të mundur evidentimin e të gjitha shkeljeve dhe problematikave që hasim në përditshmërinë tonë.
Policia Rrugore është e vendosur që të gjitha shkeljet të evidentohen me mjetet inteligjente, me ato të cilat kemi në përdorim, siç është Poliscani, apo edhe mjetet e tjera, radarë dhe dronë. Të gjitha këto mjete inteligjente që ne kemi në përdorim do të bëjnë të mundur që të ndëshkohen shkelësit për të gjitha shkeljet që kryejnë në rrugët kryesore dhe interurbane.
Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h.
Ndërkohë, gjatë një viti, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, janë 1.075 drejtues automjetesh, të cilëve iu është hequr leja e drejtimit, pasi iu kanë mbaruar pikët e lejes së drejtimit.
Njëkohësisht, kemi edhe 1.060 raste të proceduara për mospasjen e lejeve të drejtimit. Këto janë me të vërtetë shifra alarmante dhe na bëjnë të kthejmë vëmendjen dhe fokusin kryesor tek siguria rrugore.
Së shpejti do të vihen në funksion edhe kamerat në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, të cilat do të integrohen në sistemin e Policisë dhe, në këtë mënyrë, do të kemi një kontroll dhe një çekim më të saktë të të gjitha shkeljeve dhe të gjitha problematikave që do të hasim në rrugët kryesore interurbane.
Nuk është në fokusin tonë që ne vetëm të evidentojmë shkelje, në fokusin tonë është të ndërgjegjësojmë qytetarët, të parandalojmë këto shkelje rrugore dhe të mos kemi aksidente fatale.
Ju bëjmë apel dhe thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të mos përdorin telefonin celular, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike, të mos tejkalojnë normat e shpejtësisë, pasi shpejtësia vret.
Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë.”

