Pas pastrimit të një kanali vaditës në Malësinë e Madhe, mbetjet e nxjerra nga kanali janë lënë në anë të rrugës, duke shkaktuar shqetësim për banorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Problematika është bërë publike nga aktivisti Besmir Mataj, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka kritikuar mënyrën se si është menaxhuar ndërhyrja.
Sipas Matajt, pas publikimit të një kronike për gjendjen e kanalit, në zonë është ndërhyrë me fadromë dhe mbetjet janë nxjerrë nga kanali. Por, në vend që të largoheshin dhe të transportoheshin në një pikë të përshtatshme, ato janë grumbulluar pranë rrugës.
Aktivisti pretendon se pastrimi është prezantuar si një ndërhyrje e përfunduar, ndërsa në terren mbetjet kanë mbetur aty, duke sjellë erë të rëndë dhe shqetësime për banorët e zonës.
Mataj i kërkon Bordit të Kullimit dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa për largimin e mbetjeve dhe pastrimin e zonës.
Ai paralajmëron gjithashtu se, nëse mbetjet nuk largohen, ato mund të përfundojnë sërish në kanalin vaditës, duke rikthyer problemin fillestar.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si menaxhohen mbetjet e dala gjatë pastrimit të kanaleve vaditëse dhe mbi përgjegjësinë e institucioneve për rehabilitimin e plotë të zonës pas ndërhyrjeve.

