Hyrja dhe dalja e qytetit të Koplikut do të rikonstruktohet. Punimet për rehabilitimin e këtij segmenti rrugor pritet të nisin në fillim të muajit shtator dhe parashikohet të përfundojnë brenda rreth 20 ditësh.
Ndërhyrja do të shtrihet nga rrethrrotullimi i Polvarit deri te rrethrrotullimi në dalje të Koplikut, në drejtim të Bajzës. Financimi i projektit do të bëhet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ndërsa procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do të realizojë punimet kanë përfunduar.
Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetari Rifat Ymeri, ky investim është kërkuar në Kuvend nga deputeti i qarkut Shkodër, Bujar Rexha, i cili e ka ngritur disa herë si një nevojë për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
Rehabilitimi i hyrje-daljes së Koplikut vjen pas ndërhyrjes për ndërtimin e urës mbi përroin e Kamicës, duke u konsideruar si investimi i dytë në Malësinë e Madhe që deputeti Rexha e lidh me kërkesat e tij institucionale.
Ndërkohë, në fokus janë edhe disa ndërhyrje të tjera të mundshme në infrastrukturën rrugore të zonës. Mes projekteve që po shqyrtohen përmenden rruga e Gashajve, aksi i Rrjollit dhe rruga Koplik–Culaj përgjatë bregut të Liqenit të Shkodrës.
Nëse këto projekte do të marrin dritën jeshile, pritet të sjellin përmirësime të mëtejshme në lëvizjen e banorëve dhe lidhjen e zonave turistike të Malësisë së Madhe.

