Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën më të fundit të zjarreve në vend, ku gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 30 vatra zjarri, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale, ndërsa në mbështetje të tyre janë vendosur 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Operacionet vijojnë edhe në Priskë dhe Çakallesh, pa kërcënim për komunitetin.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, në bashkinë Mallakastër, vijon ndërhyrja për neutralizimin e zjarrit në terren të vështirë, por deri tani nuk raportohet rrezik për banesat.
Në qarkun e Elbasanit po punohet në vatrat e Shqiponjës, Malit të Dardhës dhe Mjekësit. Zjarri në Shqiponjë është vendosur nën kontroll, ndërsa vatra në Malin e Dardhës është izoluar. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Kostren 2, në bashkinë Berat, vijon ndërhyrja për shuarjen e një vatre të riaktivizuar, me forca dhe mjete zjarrfikëse në terren.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin e vendit.

