Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka shprehur qëndrimin e tij pasi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u akuzua zyrtarisht për shkelje të detyrës në lidhje me abuzime të reja.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi i adreson kritika kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai i siguron Ballukut mbrojtje politike. Ai gjithashtu i kërkon llogari SPAK-ut për, sipas tij, “mosveprim të pajustifikueshëm”, duke theksuar se zgjerimi i akuzave ndaj Ballukut është një dëshmi e fortë në mbështetje të kërkesave të mëhershme të Partisë Demokratike për t’i hequr asaj imunitetin parlamentar.
Duke argumentuar qëndrimin e tij, Bardhi nënvizon se një zyrtar shtetëror që ndodhet nën akuzë për abuzim me fondet publike dhe është duke u hetuar për korrupsion dhe pastrim parash, nuk duhet të mbetet i lirë. Sipas tij, ekziston një rrezik i vërtetë që zyrtarë të tillë mund të ndikojnë hetimin, të manipulojnë provat ose të ushtrojnë presion ndaj dëshmitarëve.
Ai u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të sigurojnë trajtim të barabartë për çdo zyrtar, pa dallim dhe pa influencë politike, duke theksuar se barazia përpara ligjit është thelbësore për besimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë.
Bardhi paralajmëron se, sipas tij, një sistem drejtësie që shihet si i politizuar rrezikon të humbasë pavarësinë dhe integritetin. Për këtë arsye, ai kërkon që Prokuroria e Posaçme t’i qaset çdo rasti me të njëjtat standarde, pavarësisht rolit apo mbështetjes politike të zyrtarëve të përfshirë.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Duhet të ishte me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit, sipas nesh të pajustifikueshëm, të SPAK-ut.
Belinda Balluku është marrë sot e pandehur për akuza të tjera që lidhen me abuzimet në ushtrimin e detyrës.
Shtimi i akuzave zyrtare nga SPAK ndaj krahut të djathtë të Edi Ramës rikonfirmon edhe një herë se qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të saj parlamentar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm. Një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro të Buxhetit të Shtetit dhe që po hetohet gjithashtu për korrupsion dhe pastrim parash nuk duhet të lejohet, të qëndrojë në liri sepse ekziston rreziku që të ndikojë mbi provat, të cenojë hetimet ose të intimidojë dëshmitarët.
Ruajtja e standardeve të njëjta nga SPAK-u është një domosdoshmëri për të mos cenuar besimin e qytetarëve te drejtësia. Një drejtësi që nuk respekton parimin kushtetues të “barazisë së qytetarëve përpara ligjit” rrezikon të shndërrohet në një instrument selektiv, në vend që të garantojë drejtësi të barabartë për të gjithë.
Një drejtësi që perceptohet se ndikohet nga vendimmarrja politike e mazhorancës nuk mund të konsiderohet as plotësisht e pavarur dhe as plotësisht e paanshme. Prandaj, SPAK-u duhet të zbatojë të njëjtat standarde për çdo zyrtar, pa përjashtim dhe pa privilegje politike.

