Të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar njëzëri në favor të bojkotimit të të gjitha kompeticioneve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, nëse organizata botërore nuk tërhiqet nga plani për t’i hapur investitorëve privatë një pjesë të të drejtave komerciale të turneve.
Sipas një komunikate të publikuar nga UEFA, asnjë kombëtare europiane nuk do të marrë pjesë në garat e FIFA-s për sa kohë që kjo nismë mbetet në fuqi.
Përplasja nisi pasi FIFA, e drejtuar nga Gianni Infantino, prezantoi projektin “FIFA Forward Enterprise” (FFE), një kompani tregtare me vlerë të vlerësuar rreth 20 miliardë dollarë, e cila do të menaxhojë ekskluzivisht të drejtat dhe organizimin e Kupës së Botës dhe Botërorit të Klubeve. Synimi është të sigurohen 4.2 miliardë dollarë deri në fund të vitit përmes shitjes së pakicës së aksioneve investitorëve privatë.
Sipas raportimeve, një nga investitorët kryesorë mund të jetë një kompani investimesh nga Nju Jorku, e themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i bashkëshortit të Ivanka Trump.
Ndërkohë, Infantino u ka dërguar letër të gjitha 211 federatave anëtare të FIFA-s, duke u premtuar deri në 40 milionë dollarë mbështetje financiare nëse votojnë pro planit. Afati për pranimin e propozimit është caktuar më 19 shtator.
UEFA e ka cilësuar këtë nismë si një përpjekje për të përdorur futbollin “për të pasuruar FIFA-n dhe miqtë e saj”, duke paralajmëruar se qëndrimi i saj nuk do të ndryshojë nëse projekti vazhdon.

