Diskutimet për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër kanë sjellë reagime dhe përplasje mes palëve politike në vend.
Ish-kryeministri, Pandeli Majko ka dalë kundër idesë së vendosjes së një përfaqësie diplomatike serbe në qytetin verior, ndërsa ka replikuar edhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Ky i fundit në një reagim në rrjete sociale, shkruante se interesi kryesor i Shqipërisë mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës. Sipas tij, Shqipëria ka kërkuar prej kohësh krijimin e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.
“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime”- shkruan Hoxha ndër të tjera.
Ndërkohë, në përgjigje Pandeli Majko, i thotë Hoxhës se Shkodra nuk krahasohet me Luginën e Preshevës, ndërsa shton se, për Shqipërinë, sipas tij, duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standart.

