Vetëm një javë pas vizitës në Theth, Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se është miratuar leja e parë në kuadër të Paketës së Maleve. Përfitues është familja Hasani, e cila synon të investojë në pronën e saj në këtë zonë.
Leja i përket Kujtim Hasanit, një emigranti me origjinë nga Shala, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij në Angli. Sipas Ramës, ai ka vendosur të rikthehet në vendlindje për të investuar kursimet e tij në një projekt të ri në Theth.
“Sot u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve në vendlindje dhe të kthehet në Shqipëri”, shkruan Rama.
Sipas Kryeministrit, ky është një nga qëllimet kryesore të Paketës së Maleve, e cila synon t’u krijojë mundësi trashëgimtarëve të pronave në zonat malore që të rikthehen, të investojnë dhe të zhvillojnë aktivitete si agroturizmi, bujqësia, blegtoria apo agropërpunimi.
Miratimi i lejes vjen vetëm pak ditë pas vizitës së Ramës në Theth, ku ai u takua me banorë dhe emigrantë të zonës. Qeveria e paraqet këtë nismë si një instrument për të nxitur investimet dhe rikthimin e emigrantëve në zonat malore, duke shfrytëzuar pronat e trashëguara nga familjet e tyre.

