Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ironizuar vendimin e SPAK për zgjatjen e afatit të hetimeve ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi ecurinë e këtij procesi.
I pyetur nëse një hetim do të ishte më i plotë nëse SPAK do të kërkonte heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend, Berisha iu përgjigj me ironi duke iu referuar një informacioni të marrë, sipas tij, nga “qytetari dixhital”.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha u shpreh se qytetari dixhital e ka informuar se në ambientet e SPAK ka nisur ndërtimi i një “mini-materniteti”, duke ironizuar kështu kohëzgjatjen e hetimeve. Kreu i PD-së tha se do ta verifikojë vetë këtë pretendim dhe më pas do t’i përgjigjet pyetjes mbi hetimin ndaj Ballukut.
Anisa Kadesha, RTSH: Meqenëse SPAK ka shtyrë afatin e hetimeve për çështjen Balluku, sikundër ka pasur dhe kontrolle. A mendoni se do të ishte një hetim i plotë nëse SPAK do të kërkonte heqjen e imunitetit të saj në Kuvend?
Sali Berisha:
Anisa, nuk e di sa është e vërtetë, por qytetari dixhital më njofton se kanë filluar ndërtimin e një mini-materniteti në SPAK.
Kur të shkoj herën e fundit do të bëj inspektimin dhe ta verifikoj a është e vërtetë, pastaj do t’i përgjigjem pyetjes tuaj.

