Deputeti socialist Erjon Braçe ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, janë afruar disa figura në Partinë Socialiste.
Ai u ndal te rasti i deputetes Marjana Koçeku, duke deklaruar se ajo është “një nga njerëzit që kanë ardhur me karrike” në PS.
I njohur prej vitesh si një nga zërat më kritikë brenda socialistëve, Braçe tha se kjo është një tipologji që, sipas tij, gjendet jo vetëm në parti, por edhe në grupin parlamentar dhe në qeveri.
Kjo kritikë e deputetit Braçe për kolegen e tij vjen pasi Koçeku u largua nga PS duke vijuar si deputete e pavarur në Parlament.
“Marjana Koçeku ka ardhur me karrike në PS, se e kishe edhe në emision por s’kemi pse e fshehim këtë gjë dhe s’ka asgjë për ta thënë.
Kjo tipologji është prezente në PS, është prezente edhe në grup Parlamentar po të doni, është prezente edhe në qeveri.
Pse duhet fshehur kjo gjëja, kanë ardhur me karrike. Nga pikëpamje profesionale mund të jenë njerëz me shumë kontribute po në raport me PS, janë njerëz me karrike, kaq”, deklaroi Braçe.
Braçe komentoi edhe qëndrimin e Marjana Koçekut ndaj Paketës së Maleve, duke ngritur pikëpyetje mbi statusin ligjor të pronës dhe bujtinës së saj.
Deputeti socialist tha se, nëse prona e Koçekut nuk disponon dokumentacion të plotë, atëherë Paketa e Maleve do t’i krijonte mundësinë për legalizimin dhe zhvillimin e aktivitetit, duke lënë të kuptohet se kjo do të ishte një arsye për ta mbështetur nismën.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur deputetja Koçeku ka shprehur publikisht rezerva dhe është distancuar nga qëndrimet e shumicës socialiste në disa çështje siç është edhe Paketa e Maleve që tashmë e kundërshton me forcë.
“Erla a e pyete Marjanën nëse tokën e saj atje dhe bujtinën a e ka me letra, me dokumentacion. Dhe kur nuk e ka përse të mos e votoj Paketën e Maleve që iu jep këtë mundësi?”, u shpreh deputeti Braçe.

