Spitali i Durrësit ekspozon pacientin. Publikon se është me HIV dhe përdorues heroine

Publikuar me datë:

Një denoncim publik për trajtimin e një pacienti në Spitalin Rajonal të Durrësit është shndërruar në një skandal me përmasa të mëdha, pasi përveç akuzave për braktisje të një qytetari në gjendje të rëndë, institucioni shëndetësor është vënë në qendër të kritikave edhe për publikimin e të dhënave konfidenciale mjekësore të pacientit.

Rasti ka nxitur reagime të forta, ndërsa ngre pikëpyetje jo vetëm mbi mënyrën e trajtimit të pacientëve, por edhe mbi respektimin e të drejtave themelore dhe etikës profesionale nga institucionet publike.

Gazetari Osman Stafa publikoi një video në rrjetet sociale, ku akuzon Spitalin Rajonal të Durrësit dhe Ministrinë e Shëndetësisë se kanë gënjyer opinionin publik lidhur me rastin e një 52-vjeçari, të identifikuar me inicialet A.A., i njohur si “Tani”.

Sipas Stafës, pacienti u transportua me ambulancë dhe u la në ambientet e Portit të Peshkimit në Durrës, ku qëndroi për një natë dhe një ditë, pa iu dorëzuar familjarëve, ndryshe nga sa pretendohej në deklaratat zyrtare.

“Spitali i Durrësit dhe Ministria e Shëndetësisë gënjejnë kur thonë se e lanë te një familjar. E lanë brenda portit, ku nuk ka familjarë, shtëpi apo njerëz që jetojnë”, deklaroi gazetari.
Sipas tij, pacienti kishte qenë më parë i shtruar në një spital në Tiranë, ku pritej t’i vendosej një protezë, përpara se të transferohej në Durrës. Dy ditë më parë, pretendon Stafa, ai u dërgua me ambulancë në Portin e Durrësit, ku dyshohet se u braktis.

Gazetari shtoi se fillimisht kishte qarkulluar informacioni se qytetari kishte humbur jetën, por dëshmitarë të pranishëm pohuan se ai ishte ende gjallë. Sipas tij, gjatë ditës së sotme pacientit iu amputua një këmbë.

Pas publikimit të denoncimit, Spitali Rajonal i Durrësit reagoi duke mohuar lajmin se pacienti kishte ndërruar jetë.

Në reagimin e tyre zyrtar të bërë ditën e sotme, spitali i qytetit bregdetar hedh poshtë pretendimet se pacientit nuk i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore.

Madje, nxirret në pah se pas një ndërhyrjeje të bërë në QSUT, Spitali i Durrësit ka trajtuar për disa javë pacientin e tij.

Reagimi i plotë i Spitalit Rajonal të Durrësit:

Në lidhje me lajmin e publikuar në media, sipas të cilit një pacient i trajtuar më parë në Spitalin Rajonal Durrës ka ndërruar jetë, sqarojmë se ky informacion nuk është i vërtetë.

Pacienti është paraqitur sërish ditën e djeshme në Shërbimin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.

Për informimin e plotë të opinionit publik bëjmë me dije se pacienti ishte trajtuar më parë në QSUT, ku i ishte kryer një ndërhyrje nga mjekët kirurgë vaskularë në enët e gjakut të këmbës së majtë. Pas komunikimit ndërmjet mjekëve, ai u shtrua në Spitalin Rajonal Durrës, ku qëndroi dhe u trajtua për disa javë, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.

Pas stabilizimit të parametrave klinikë dhe përfundimit të trajtimit spitalor, pacientit iu përgatit epikriza dhe iu komunikua dalja nga spitali. Duke qenë se ai deklaroi se nuk kishte një vend ku të qëndronte, strukturat e spitalit njoftuan shërbimin social dhe organet e Policisë së Shtetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt sociale dhe familjare.

Pas komunikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, një familjar deklaroi se do ta merrte pranë banesës së tij. Pacienti u transportua me autoambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit, dhe iu dorëzua familjarit.

Për rrjedhojë, sqarojmë se pacienti nuk është nxjerrë apo braktisur në rrugë nga Spitali Rajonal Durrës, siç pretendohet në publikim. Dalja e tij nga spitali është kryer pas përfundimit të trajtimit, me dokumentacionin përkatës mjekësor dhe pas koordinimit me strukturat sociale, policore dhe familjare.

Spitali Rajonal Durrës u bën thirrje mediave që, veçanërisht në raste kaq të ndjeshme, informacioni të verifikohet pranë institucioneve përkatëse përpara publikimit.

Institucioni ynë mbetet i angazhuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe për bashkëpunimin me çdo autoritet kompetent, duke respektuar konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit.

Skandali i dytë: Publikohen të dhënat konfidenciale të pacientit

Pikërisht në përpjekje për të kundërshtuar raportimet mediatike, Spitali Rajonal i Durrësit bëri publike informacione tepër sensitive mbi gjendjen shëndetësore të pacientit.

Në deklaratën zyrtare u zbulua se 52-vjeçari është mbartës i virusit HIV, përdorues heroine, pjesë e programit të metadonit, si dhe u ngritën dyshime se kishte konsumuar lëndë narkotike përpara rikthimit në spital.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Skandal mjedisor në Malësi të Madhe! Digjen mbeturinat pranë banesave, tymi pushton zonën

Një situatë alarmante është regjistruar pasditen e kësaj të...

Sulm me dron në zemër të Rusisë, digjet një nga rafineritë më të mëdha të naftës

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SSU) ka realizuar një...

Ekspertët kërkojnë  ngadalësimin e zhvillimit të AI

Më shumë se 1 mijë punonjës dhe drejtues të...