Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ka denoncuar situatën në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Shkodër, duke publikuar një foto ku shfaqen qytetarë në radhë.
Sipas Hotit, prej ditësh ai ka marrë mesazhe nga qytetarët, të cilët ankohen për pritje të gjata për të marrë shërbimet e ASHK-së.
“Pritje me orë të tëra për një shërbim që duhet të ofrohet me normalitet. Qytetarët meritojnë respekt dhe një administratë që u shërben, jo që i lë në radhë. ASHK duhet të japë llogari për këtë situatë dhe të marrë masa të menjëhershme për t’i dhënë fund këtij kaosi”, shkruan Hoti në reagimin e tij.
Deputeti demokrat i bën thirrje Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që të reagojë dhe të marrë masa për normalizimin e situatës, në mënyrë që qytetarët të mos përballen me pritje të gjata për marrjen e shërbimeve.

