Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij pas dyshimeve për tradhti dhe më pas ka regjistruar momentet e fundit të saj, duke ua dërguar edhe prindërve të viktimës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Galagali, në distriktin Bagalkot të Karnataka-s, ku 23-vjeçarja Bhagyasri Jigalur u gjet e pajetë në banesën e saj. Sipas policisë, bashkëshorti i saj, Pravin Jigalur, dyshohet se e ka sulmuar fillimisht me një trung druri dhe më pas e ka varur.
Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari ka regjistruar një video të gruas së tij teksa ajo luftonte për jetën dhe më pas e ka shpërndarë atë te disa persona. Ai dyshohet gjithashtu se ka kryer një videotelefonatë me prindërit e saj, duke i bërë ata dëshmitarë të minutave të fundit të vajzës së tyre.
Sipas hetimeve paraprake, çifti kishte pasur konflikte të shpeshta. Bhagyasri ishte larguar nga banesa e përbashkët rreth dy muaj më parë dhe kishte shkuar të jetonte me prindërit e saj. Pravin dyshohet se e kishte bindur të kthehej, duke i premtuar se marrëdhënia e tyre do të përmirësohej.
Policia tha se gruaja dyshohet se u vra në të njëjtën natë që u rikthye në shtëpi. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët arrestuan bashkëshortin e saj dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të krimit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitet, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat ligjore ndaj të dyshuarit.

