Të hënën, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një marrëveshje huaje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Votimi u bë vetëm me mbështetjen e deputetëve socialistë, ndërsa opozita nuk mori pjesë në proces, duke kundërshtuar ashpër procedurën dhe mbajtjen konfidenciale të tekstit.
Marrëveshja ndodh në një kohë kur Shqipëria kërkon të rrisë rolin e saj në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe po aspiron të jetë pritëse e samitit të radhës të NATO-s në Tiranë.
Huaja direkte, me vlerë 302 milionë dollarë, sigurohet nëpërmjet programit amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF). Dokumenti është nënshkruar nga Ministria e Financave dhe Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA).
Draftligji për këtë marrëveshje ishte miratuar paraprakisht nga Këshilli i Ministrave më 19 qershor dhe iu prezantua deputetëve nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë seancës parlamentare si një material konfidencial, për t’u shqyrtuar me dyer të mbyllura.
Grupi parlamentar socialist kërkoi që marrëveshja të kalonte në procedurë të përshpejtuar brenda të njëjtës ditë, propozim i cili u hodh poshtë nga opozita me argumentin se ishte antikushtetues.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, theksoi duke iu referuar Kushtetutës se “një ligj nuk mund të miratohej më herët se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit” dhe sugjeroi që votimi të zhvillohej të premten.
Ai shtoi gjithashtu akuza ndaj qeverisë se nuk ka realizuar angazhimet si anëtare e NATO-s.
Pak para votimit, Partia Demokratike publikoi një deklaratë ku tre grupet kryesore të opozitës theksonin përkrahjen për marrëveshjen me SHBA-në, por kërkonin që ajo të mos miratohej “me mënyrën antikushtetuese” në Kuvend.
“Shqipëria ka nevojë të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s, por, siç bën me çdo gjë që ka lidhje me SHBA, Edi Rama po bën pis edhe këtë marrëveshje, duke kërkuar që Kuvendi të shkelë Kushtetutën për të mbuluar dështimet e qeverisë së tij”- thuhej ndër të tjera në qëndrimin e opozitës.
Opozita propozoi që votimi të zhvillohej të premten, në mënyrë që deputetët të kishin kohë të njiheshin më mirë me përmbajtjen e marrëveshjes.
Megjithatë, ndonëse detajet e marrëveshjes nuk u bënë publike, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi gjatë seancës plenare se “huaja prej 302 milionë dollarësh do të përdorej ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s”.
Balla informoi se Shqipëria ka në dispozicion 48 muaj për të aktivizuar fondet dhe 12 vjet për shlyerjen e tyre, ndërsa sqaroi se kjo marrëveshje mbështet objektivin e qeverisë “për të arritur objektivin 5% të NATO-s”.
Votimi përfundoi me 74 vota pro nga socialistët dhe asnjë votë kundër./Reporter.al

