Omar Pasagiç është tashmë pjesa më e re e ekipit të Partizanit, siç ka bërë të ditur vetë klubi përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Fk Partizani ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me qendërmbrojtësin Omar Pasagiç, i cili është zyrtarisht pjesë e familjes së kuqe. 28-vjeçari nga Bosnja dhe Hercegovina, i lindur në Gjermani, vjen te Partizani pas eksperiencës së fundit me FC Metaloglobus Bukuresht në kampionatin rumun.”
Pasagiç, i cili luan zakonisht në rolin e qendërmbrojtësit dhe përdor këmbën e majtë, ka nënshkruar një kontratë me formulën 1+1. Ai do t’i bashkohet menjëherë skuadrës në Pogradec, ku ekipi është duke kryer fazën përgatitore.

