Vizita e kryeministrit Edi Rama në Theth vijon të shoqërohet me reagime. Banorja e zonës, Lola Çerku, ka vënë në diskutim mënyrën se si u organizua takimi në Ndërlysaj, duke pretenduar se të pranishmit nuk përfaqësonin banorët e Thethit në tërësi.
Sipas saj, në takim morën pjesë persona të përzgjedhur, mes tyre edhe përfitues të Paketës së Maleve, ndërsa mungonin banorë që kanë ngritur shqetësime pas ndërhyrjeve të kryera vitin e kaluar.
Për të mbështetur pretendimet e saj, Çerku publikoi një dokument të Bashkisë Shkodër me listën e përfituesve të Paketës së Maleve, duke pohuar se disa prej emrave në atë dokument ishin të pranishëm në takimin me kryeministrin.
Në reagimin e saj, ajo thekson se Thethi numëron rreth 140 bujtina, ndërsa pjesëmarrja në takim ishte shumë më e kufizuar nga sa u paraqit publikisht. Çerku ngre gjithashtu pikëpyetje edhe për zgjedhjen e Ndërlysajt si vendtakim, duke lënë të kuptohet se kjo nuk ishte një zgjedhje e rastësishme.
Ajo kritikon edhe mënyrën se si disa media e pasqyruan aktivitetin, duke argumentuar se raportimet nuk pasqyruan atë që, sipas saj, shihej qartë në pamjet filmike, por krijuan një perceptim të ndryshëm për pjesëmarrjen dhe atmosferën e takimit. Sipas Çerkut, faktet mbi të cilat mbështetet janë publike dhe mund të verifikohen nga kushdo.

