Rektorja e Universitetit të Shkodrës, Blerta Dragusha, ka bërë publike drejtimet kryesore të punës së institucionit për periudhën në vijim, me fokus në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, përmirësimin e standardeve akademike dhe zgjerimin e ofertës së studimeve.
Ajo njoftoi se Ministria e Arsimit ka dhënë miratimin për dy programe të reja studimi, të cilat synojnë t’u ofrojnë studentëve më shumë mundësi për formim profesional dhe t’i përgjigjen më mirë kërkesave të tregut të punës.
Dragusha u ndal edhe te procesi i akreditimit të programeve ekzistuese, duke e cilësuar atë një element kyç për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe forcimin e besueshmërisë së universitetit.
Lidhur me zërat për mbylljen e disa degëve, rektorja sqaroi se aktualisht nuk ka asnjë program studimi që rrezikon të mbyllet, duke theksuar se universiteti do të vijojë të investojë në zhvillimin dhe konsolidimin e ofertës së tij akademike.
Sipas saj, synimi kryesor është ndërtimi i një universiteti modern dhe konkurrues, me programe të akredituara që u përgjigjen nevojave të studentëve dhe zhvillimit të vendit.

