Gazetari Reldar Dedaj ka folur lidhur me mocionin e dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së nga deputetja socialiste Elisa Spiropali përmes të cilit propozoi hapjen e një dialogu kombëtar mbi “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”.
Dedaj u shpreh se lëvizjet dhe qëndrimet e fundit të Spiropalit nuk janë një zë kritik i vërtetë. Sipas tij, ajo po shfrytëzon situatën e protestave për t’u shfaqur si një figurë anti-korrupsion, ndërkohë që përfaqëson të njëjtin model politik.
“Unë mendoj që ajo e iniciuar shumë nga një grup, nga grupe do të thoja të errëta, po e tentojnë nëpërmjet saj për t’i ushtruar presion Edi Ramës që kjo të katapultohet në një post ministri, duke e shfrytëzuar edhe situatën që është tashmë. Protesta kërkon një lloj rinovimi dhe kjo po del me figurën si anti-Ramë, anti-korrupsion, kur në thelb është i njëjti model dhe ka reflektuar gjithë këtë modelin.
Por ajo çfarë vlen ta themi shoqërisë, me guxim pak duhet thënë, është që personazhet të botës së errët, përderisa edhe shoqërohet me ta, po mundohen të investohen te figura e kësaj nëpërmjet këtij lloj presioni që kjo të kapi një post ministri. Kaq e thjeshtë është si historia e saj dhe rebelizmi i saj. Po të shohësh dhe njerëzit që i trumpetohen dhe njerëzit që duan të krijojnë një lloj graviteti, duan ta influencojnë e tjerë e tjerë, këtë e bën akoma dhe më sigurtë këtë ide që unë po them.
Nuk e lexova mocionin sepse e transmetuan mediat dje. Nuk ka asnjë gjë politike realisht në atë. Ka një lloj moraliteti, por në thelb nuk ka sepse Partia Socialiste në 13 vite, mënyra se si është ndërtuar Partia Socialiste, me ligjin elektoral në 2008-ën, PS-ja dhe PD-ja ka humbur debat. Nuk ka debat të brendshëm me këtë kod elektoral që kemi ne, sepse të gjithë deputetët e të dy forcave politike janë të punësuar të kryetarëve të partisë.
Nuk mund të bëjmë ne debate artificiale dhe nuk ka debate artificiale. Kur do të bësh karrierë politike, karriera politike bëhet me individuitet dhe me meritokraci, por dhe në beteja. Asnjë nga këta nuk është rritur në beteja”, tha ai ndër të tjera.

