Gjendja e Qendrës Kulturore “At Zef Pllumi” në Dedaj të Shkrelit është denoncuar në rrjetet sociale, ku publikohen pamje që tregojnë degradimin e objektit, i cili prej vitesh ndodhet në administrim të Bashkisë Malësi e Madhe.
Sipas denoncimit, godina është ndërtuar në vitin 2013 me financimin e programit zviceran DLDP dhe është kompletuar nga VIS-Albania. Në fillim, ajo është përdorur si zyrë e organizatës dhe si hapësirë për aktivitete rinore dhe kulturore.
Më pas, objekti iu kalua ish-Komunës së Shkrelit dhe, pas reformës territoriale, kaloi në administrimin e Bashkisë Malësi e Madhe.
Denoncuesit shprehen se godina, e cila mund të shërbente si një qendër kulture dhe promovimi të turizmit për të gjithë zonën e Malësisë, sot ndodhet në një gjendje të rënduar dhe e lënë pas dore.
Pamjet e publikuara kanë nxitur reagime në rrjetet sociale, ndërsa ngrihen pikëpyetje mbi mirëmbajtjen dhe menaxhimin e kësaj pasurie publike.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkia Malësi e Madhe lidhur me gjendjen e objektit dhe pretendimet e ngritura.
Burimi: Zani i Veriut

