Një tjetër kritikë ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ka ardhur nga radhët e opozitës në Këshillin Bashkiak.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, anëtarja e Këshillit Bashkiak nga Partia Demokratike, Glorja Shllaku ka akuzuar kreun e bashkisë për propagandë, duke thënë se imazhi që paraqitet në rrjetet sociale nuk përputhet me realitetin që përjetojnë qytetarët dhe turistët në Shkodër.
“Propaganda asht e bukur në fotografi. Fatkeqësisht, turistët nuk vizitojnë Facebook-un; ata ecin në rrugët tona, shohin papastërtinë, gropat dhe mungesën e mirëmbajtjes. Aty mbaron propaganda dhe fillon realiteti që çuditërisht vetëm ju nuk e shihni”, shkruan ajo në reagimin e saj.
Deklarata vjen në një kohë kur Bashkia Shkodër po promovon sezonin turistik dhe destinacionet e qytetit përmes publikimeve të shumta në rrjetet sociale, ndërsa opozita vijon të denoncojë problematikat që, sipas saj, vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, si pastrimi, infrastruktura dhe mirëmbajtja e hapësirave publike.
Reagimi i anëtares së Këshillit Bashkiak pritet të nxisë debat të mëtejshëm politik mbi gjendjen e qytetit dhe menaxhimin e çështjeve që lidhen me turizmin dhe shërbimet publike në Shkodër.
Postimi i plotë:
Propaganda asht e bukur në fotografi. Fatkeqësisht, turistët nuk vizitojnë Facebook-un; ata ecin në rrugët tona, shohin papastërtinë, gropat dhe mungesën e mirëmbajtjes. Aty mbaron propaganda dhe fillon realiteti qe çuditërisht vetëm ju nuk e shihni. !!!!



