Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, mori pjesë këtë të hënë në Asamblenë e Përgjithshme të Centrist Democrat International (IDC-CDI), organizata më e madhe politike e qendrës së djathtë në botë, ku mban pozita si Zëvendëspresident.
Pas përfundimit të asamblesë, Berisha njoftoi se IDC-CDI do të formojë një grup pune për të mbledhur të dhëna mbi narko-shtetin dhe lidhjet direkte të qeverisë shqiptare me kartelet e drogës.
Ai shprehu se propozimi i tij u pranuar mirë dhe se grupi i punës do të fokusohet në mbledhjen e fakteve për këto lidhje dhe aktivitetet e krimit të organizuar.
“Sapo përfundoi asambleja e përgjithshme e Ndërkombëtares Demokrate të Qendrës, organizatës më të madhe botërore të partive politike të qendrës dhe qendrës së djathtë.
Punimet e saj ishin jashtëzakonisht të rëndësishme, duke trajtuar çështje themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut, si dhe tema të rëndësishme të organizimit dhe aspektet bashkëkohore të teknologjisë e inteligjencës artificiale.
Gjatë takimeve dhe në fjalën time, përqendrova vëmendjen në gjendjen dramatike të Shqipërisë, duke e karakterizuar qeverinë si një diktaturë autoritare, e cila është nën ndikimin e një organizate kriminale që pretendon të pranojë pluralizmin, por e shtyp atë me metoda të paligjshme.
Qeveria arreston udhëheqësit politikë të opozitës, dënon kundërshtarët dhe organizon zgjedhje formale, duke e shndërruar procesin elektoral në një farsë të vërtetë.
Veçanërisht, ajo është bërë një organizatë kriminale e cila është e lidhur ngushtë me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjatë fjalës time, adresova çështjen e narko-shtetit shqiptar, duke përmendur një aspekt të veçantë: narko-euron. Shqipëria aktualisht është vendi ku euro është mbivlerësuar, me një zhvlerësim të pabesueshëm prej 22%.
Kjo është rezultat i fluksit të madh të parave të drogës. Shqipëria tani është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë.
Kartelet e saj janë eksportuesit kryesorë të kokainës në Europë dhe në vende të tjera. Ato kanë portet e Shqipërisë të hapura, ku për pesë vjet nuk është kapur asnjë kilogram drogë.
Ato kontrollojnë linjat e narkotrafikut në Shqipëri dhe vendosin për ligjet e vendit, ndërsa kryeministri vepron si padrino i tyre. Në fjalën time, theksova gjithashtu protestën e gjeneratës së re dhe qytetarëve në Tiranë, e cila është plotësisht një protestë kundër diktaturës.
Diskutova gjithashtu mbi ‘Dosjen Shqiptare’. Nëse e vlerësojmë me 523 projektet e tij, del se ai ka vepruar si një sulltan, duke konsideruar Shqipërinë si pronën e tij dhe duke ia dhuruar atë karteleve më të rrezikshme të drogës.
Ai ka hequr prohibita të shumta nga zonat e mbrojtura, vetëm për interesa të këtyre karteleve.
Mund të them se prezantimi im në këtë asamble u prit me interes të veçantë. Kërkova krijimin e një grupi pune në kuadër të asamblesë për të adresuar krimin e organizuar dhe kartelet e drogës në Shqipëri dhe në botë.
Ky propozim u miratua nga presidenti i asamblesë, zoti Pastrana. Mendoj se ky udhëtim ishte shumë i vlefshëm dhe i dobishëm për Shqipërinë, pasi sa më shumë bota të njohë realitetin e Shqipërisë, aq më shumë do të diskutohet për një narko-diktator dhe jo për ato rrobat e bardha të tij”, përfundoi ai.

