Dhjetëra udhëtarë, përfshirë edhe shumë emigrantë nga Shkodra, janë detyruar të qëndrojnë për orë të tëra në tragetin e linjës Durrës–Bari për shkak të një problemi teknik të shfaqur në mjetin lundrues.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se trageti ka mbërritur në portin e Barit rreth orës 08:00 të mëngjesit, por pasagjerët nuk kanë mundur të zbresin me automjetet e tyre pasi është dëmtuar rampa e brendshme që mundëson daljen e mjeteve nga bordi.
Për pasojë, makina dhe kamionë kanë mbetur të bllokuar në traget, ndërsa udhëtarët vijojnë të presin një zgjidhje. Situata ka shkaktuar irritim, sidomos te emigrantët që kishin planifikuar të vijonin menjëherë udhëtimin drejt qyteteve të tyre.
Mes të bllokuarve ka edhe shumë familje shkodrane, të cilat po kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet verore pranë të afërmve.
Sipas informacioneve paraprake, defekti ende nuk është riparuar dhe për ndërhyrjen teknike pritet mbërritja e specialistëve nga Napoli, çka mund të sjellë vonesa të tjera për pasagjerët.

