Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) ka ngritur alarmi për rrezikun nga zjarret në vend, duke paralajmëruar se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme gjashtë qarqe do të jenë me nivel rreziku të lartë.
Sipas parashikimit të IGJEUM, qarqet ku pritet rrezik i lartë për përhapjen e zjarreve janë Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat. Ndërkohë, në qarqet e tjera të vendit pritet nivel rreziku i moderuar.
Në disa zona të veçanta rreziku pritet të jetë lokalisht i lartë, konkretisht në jug të qarkut Shkodër, në perëndim të qarkut Dibër dhe në veri-perëndim të qarkut Vlorë. Sipas ekspertëve, niveli më i lartë i rrezikut pritet gjatë ditës së sotme.
Sa i përket kushteve atmosferike, gjatë pasdites së sotme nuk parashikohen reshje, ndërsa nesër priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë. Reshje lokalisht të dobëta mund të ketë edhe në qarqet Lezhë, Tiranë dhe Elbasan.
Temperaturat nesër pritet të variojnë nga 20 deri në 31 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 17 deri në 35 gradë në zonat e ulëta dhe nga 14 deri në 30 gradë në zonat malore.
Era pritet të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre, veçanërisht në zonat me rrezik të shtuar.

