Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka vendosur të kërkojë ndihmën e Gjykatës Kushtetuese për të anuluar vendimin e qeverisë shqiptare që akordoi 4 milionë euro për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë.
Kërkesa pritet të depozitohet nesër në orën 10:00, dhe para kësaj, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, do të bëjë një deklaratë publike.
Biletat për koncertin janë në dispozicion përmes platformës ndërkombëtare Viagogo, një kompani që operon jashtë Shqipërisë dhe merr komisionet për shitjen e tyre online. Sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, kompania gjermane Streetlife International është organizatorja e aktivitetit.
Ky organizim përmes subjekteve të huaja ka ngritur shqetësime lidhur me përfitimet fiskale për shtetin shqiptar, pasi kompanitë që funksionojnë jashtë vendit nuk përballen me të njëjtat detyrime si ato vendase, duke përfshirë TVSH-në për shitjen e biletave dhe tatimin mbi fitimin.
Gjithashtu, kompania Redcloud, përgjegjëse për mbështetje teknike gjatë eventit, ka një masë sigurimi të detyrimit tatimor të vlerësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në tetor 2024, për shkak të borxheve tatimore të pashlyera. Sipas informacioneve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, masa për bllokimin e transferimit të aksioneve vazhdon të jetë në fuqi.

