Një tjetër valë reagimesh ka mbushur rrjetet sociale, e ndikuar nga raportet se qeveria shqiptare është e gatshme të alokojë 4 milionë euro nga fondet publike për koncertin e artistit amerikan Kanye West.
Në një prononcim të publikuar në platformat sociale, demokratët europianë kanë kritikuar qeverinë e Edi Ramës, duke e akuzuar për neglizhencë ndaj kërkesave të qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie, në vend që t’i japë përparësi organizimit të një koncerti.
“Ndërsa shqiptarët kanë mbushur rrugët për javë të tëra duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe një shtet të së drejtës, Edi Rama raportohet se është gati të shpenzojë 4 milionë euro nga fondet publike për koncertin e Kanye West, një prej artistëve më të kontestuar në botë, i njohur për deklaratat e tij antisemite dhe raciste.
Kryeministri Rama duhet të investojë më pak kohë në shpëtimin e koncertit të Kanye West dhe më shumë në dëgjimin e kërkesave të qytetarëve të tij.
Shqipëria meriton më shumë: demokraci para spektaklit, llogaridhënie para projekteve të pavlera dhe një të ardhme vërtet europiane.” – thuhet në këtë reagim.

