Lëvizja VLEN ka kërkuar sqarime zyrtare nga autoritetet shqiptare pas ndalimit të tre përfaqësuesve të saj në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Sipas informacioneve nga VLEN, koordinatori i Grupit Parlamentar Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi, dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, janë mbajtur në kufi për rreth një orë, pa iu ofruar ndonjë arsye zyrtare për ndalimin e tyre.
Subjekti politik deklaron se ndalimi u bë pavarësisht se tre zyrtarët ishin me pasaporta diplomatike, duke theksuar se policia kufitare iu ka komunikuar jozyrtarisht se ekziston një ndalesë për hyrje në Shqipëri. Sidoqoftë, VLEN thekson se nuk ka pranuar asnjë dokument apo vendim ligjor që të justifikonte këtë masë.
VLEN bën thirrje për sqarimin nga autoritetet shqiptare në lidhje me ekzistencën e një vendimi të tillë, identitetin e personit që e ka marrë këtë vendim, si dhe bazën ligjore që e ka mbështetur ndalimin, duke kërkuar transparencë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Deklarata e VLEN:
Ndalimi pa shpjegim i tre zyrtarëve tanë kërkon përgjigje zyrtare!
Sot, në pikën kufitare Qafë Thanë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike.
Sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre paska një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur.
VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë. Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë.
Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime.

