“Dëgjova shqetësimet e protestuesve në Tiranë”, eurodeputetja Strik fjalim për Shqipërinë në PE: Parlamenti refuzoi të hiqte imunitetin e Ballukut!

Publikuar me datë:

Eurodeputetja holandeze, Tineke Strik, ka mbajtur një fjalim kritik në Parlamentin Europian lidhur me situatën aktuale në Shqipëri. Gjatë fjalës së saj, Strik u ndal te dy çështje jetike: dëmet e rënda mjedisore dhe mbrojtja politike që Kuvendi i bëri ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke refuzuar heqjen e imunitetit të saj për llogari të SPAK.

Strik, e cila vizitoi Shqipërinë pak javë më parë, përshkroi gjendjen në terren në Vjosë-Nartë. Eurodeputetja e cilësoi si “të pakuptueshme” logjikën e autoriteteve për dhënien e lejeve të zhvillimit përpara se të kryhet vlerësimi i ndikimit në mjedis.

Strik kritikoi qëndrimin e Kryeministrit Rama për vijimin e projektit dhe bëri të ditur se PE ka miratuar një amendament që kërkon shfuqizimin e ligjit dhe vendosjen e një moratoriumi, pasi kjo situatë rrezikon të pengojë negociatat e anëtarësimit.

Pjesa më e fortë e fjalimit të eurodeputetes holandeze lidhej me drejtësinë dhe hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë. Ndonëse vlerësoi pavarësinë e SPAK si një sukses të reformës në drejtësi, ajo lëshoi një thirrje të prerë drejtuar parlamentit shqiptar për të ndaluar mbrojtjen politike ndaj zyrtarëve.

Strik përmendi hapur se, përveç hetimeve për korrupsion lidhur me projektin mjedisor, SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit edhe për një tjetër rast që ka të bëjë me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Duke qenë se Parlamenti ka refuzuar ta bëjë këtë deri më tani, eurodeputetja i bëri thirrje urgjente legjislativit shqiptar që të zhbëjë këtë vendim, të lehtësojë hetimin dhe të lejojë që drejtësia të bëjë punën e saj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related