Reagimi i nënkryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe, Sytki Ndrecaj, pas shqetësimit të Nikollë Gjekajt nga Pjetroshani
Pas shqetësimeve të shprehura nga Nikollë Gjekaj, banor i Njësisë Administrative Kastrat, mbi problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, nënkryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Sytki Ndrecaj, ka ofruar reagimin e tij në rrjetet sociale.
Ndrecaj pranon se shqetësimi për mungesën e ujit është i justifikuar dhe thekson se ai ka përjetuar gjithashtu këtë problem. Megjithatë, ai kundërshton atë që e quan një politikë të keqe lidhur me trajtimin e kësaj çështjeje, e cila sipas tij, në disa raste është perceptuar si motiv politike.
“Shpesh thuhet që ‘heshtja është flori’. Por ka njerëz që edhe floririn kërkojnë ta nxijnë dhe ndaj të imponojnë ta thyesh edhe heshtjen kur të pavërtetën e kthejnë në lajm e lajmi merr dhenë,” shkruan ai.
Nënkryetari sqaron se nuk ka trajtuar asnjëherë problemet e qytetarëve në baza politike, duke e justifikuar këtë qëndrim me njohjen e tij të gjatë nga ana e banorëve.
“Problemet e njerëzve nuk i kam trajtuar dhe nuk më shkon mendja t’i trajtoj si sfond politik apo të karaktereve të tjera,” thekson ai.
Duke iu referuar emisionit investigativ “Fiks Fare”, Ndrecaj thekson se në komunikimet e tij ka përmendur vetëm çështjen e ujit të pijshëm dhe nevojën për një zgjidhje, pa e lidhur këtë me politikën në asnjë rast.
Ai nënvizon se Bashkia Malësi e Madhe vazhdon të ndjekë shqetësimet e banorëve, pavarësisht se që nga viti 2023, Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve nuk është më nën juridiksionin e bashkive.
“Fakti që ujësjellësi dhe kanalizimet janë jashtë juridiksionit të bashkive nuk do të thotë që Bashkia Malësi e Madhe të mos dëgjojë dhe përcjellë shqetësimet e qytetarëve në instancat kompetente,” thotë ai.
Ndrecaj gjithashtu ka kritikuar komentet ofenduese të publikuara në rrjetet sociale ndaj tij dhe familjes, duke theksuar nevojën për një komunikim më civil dhe të respektueshëm publik.
“Liria juaj është deri aty ku filloni e cenoni lirinë e tjetrit,” shprehet ai, duke theksuar se debatet politike duhet të shmangin sulmet personale.
Për të përfunduar, nënkryetari i Bashkisë Malësi e Madhe shprehet se do të vazhdojë të mbetet i hapur për bashkëpunim me qytetarët, komunitetet dhe mediat për të adresuar problemet e Malësisë së Madhe.

