Rama i fal 4 milionë euro nga fondi i emergjencës Kanye West

Publikuar me datë:

Në një video të incizuar mes pluhurit dhe skelave në arenën e përkohshme “Eagle Stadium” në Kashar, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shfaqen të emocionuar teksa monitorojnë punimet për ndërtimin e stadiumit, i cili do të presë koncertin e reperit amerikan, Kanye West, i njohur për polemikat e tij.

Ndërsa inspektonte terrenin, Rama theksoi se, edhe pse ky aktivitet ishte “organizuar tërësisht nga grupi privat”, shtoi se “shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë”, me një investim prej 4 milionë eurosh.

Kryeministri e justifikoi këtë financim, që përkon me 400 milionë lekë [4.2 milionë euro], duke argumentuar se “nëse (koncerti) do të mbetej i parealizuar, do ishte një mundësi më pak për ekonominë e qytetit”.

Financimi u miratua me anë të një Akti Normativ, datë 6 korrik, i cili u publikua në Fletoren Zyrtare më 7 korrik. Ky akt ka si bazë ligjore Nenin 101 të Kushtetutës, që parashikon përdorimin në raste urgjente. Sidoqoftë, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ky nen duhet të përdoret vetëm në situata emergjente të dokumentuara mirë.

Siç përmendet në relacionin shpjegues të Aktit Normativ, qeveria argumenton nevojën për angazhimin e fondeve publike me faktin se ndodhet përballë një ngjarjeje artistike me “përmasa të tilla që ndikon në mënyrë të theksuar në imazhin e vendit”.

Po ashtu, autoritetet përpiqen të justifikojnë emergjencën e këtij Akti me pretendimin se koha e zakonshme për procesin ligjvënës nuk do të zgjidhte “problemin e menjëhershëm të rrezikut që koncerti i Kanye West të mos zhvillohet”.

Koncerti i reperit ishte njoftuar nga vetë Rama disa muaj më parë, në fund të prillit, dhe deri në këtë moment, qeveria shqiptare, përfshirë Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, kishte mohuar kategorikisht çdo përdorim të fondeve publike.

“Është e rëndësishme të theksohet se për këtë projekt nuk ka fonde buxhetore të angazhuara shtesë,” thuhej në përgjigjen zyrtare të MTKRS drejtuar BIRN më 23 qershor.

Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, e kritikoi ashpër këtë veprim si një shkelje të ligjit dhe e konsideroi atë nul dhe pa vlerë. “Një Kuvend legjitim nuk do ta miratonte kurrë këtë Akt Normativ,” tha ai për BIRN.

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, gjithashtu shprehu shqetësimin se ky akt ishte në shkelje të Kushtetutës.

“Sigurisht që po keqpërdoret Kushtetuta,” tha Xhemollari, duke theksuar se shuma e shpenzuar pa ndonjë transparencë minimale tregon se qeveria nuk ka marrë parasysh protestat që po zhvillohen në kryeqytet për më shumë se 37 ditë.

I pyetur nga BIRN përmes WhatsApp, ministri Gonxhja nuk pranoi të jepte ndonjë përgjigje.

“Çfarë jam unë, sekretari juaj?!”, shprehu ai, duke kërkuar nga media të “zbatonte ligjin”, pavarësisht se nuk ekziston ndonjë ligj që rregullon kërkesat për koment.

Keqpërdorimi i konceptit të emergjencës

Vendimi i qeverisë shqiptare për të mbështetur financiarisht koncertin e reperit vjen në një kohë kur Kanye West është një figurë shumë kontraverse në skenën ndërkombëtare. Ai ka përballur kritika të ashpra dhe një bojkot të gjerë pas një sërë deklaratash publike me përmbajtje antisemite, si dhe shpërndarjen e teorive konspirative dhe gjuhës së urrejtjes.

Së fundmi, atij iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të komenteve antisemitike dhe për shkak të një kënge me titull “Heil Hitler” që publikoi; paraqitja e tij e planifikuar në një festival në Londër u anulua dhe po ashtu u anuluan koncerte të tjera, përfshirë një në Itali.

Derisa deri tani, Rama dhe ata rreth tij i janë përgjigjur kritikat për mbështetjen e West duke insistuar se ky aktivitet është privat, vendimi i qeverisë dhe përdorimi i fondeve të emergjencës shtrojnë pyetje për këtë mbështetje.

Po ashtu, akti normativ që financion koncertin ngre dilema serioze mbi interpretimin e “emergjencave” nga ana e qeverisë. Zef Preçi thekson se asnjë jurist apo ekonomist nuk mund ta justifikojë financimin e një aktiviteti komercial brenda kornizës ligjore.

Ai sqaron se fondi rezervë është krijuar ekskluzivisht për situata të jashtëzakonshme, si katastrofa natyrore, rreziqe për sigurinë kombëtare, apo urgjenca të papritura për shëndetin publik.

“Fondi nuk përdoret për shpenzime rutinë apo politika afatgjata zhvillimi,” thekson Preçi, duke vënë në dukje se rasti i koncertit është në kundërshtim me çdo kufizim që legjislacioni shqiptar ka vendosur për përdorimin e këtyre parave.

Xhemollari ngre po ashtu shqetësimin për shpërdorimin e parave publike. Duke u ndalur në faturën prej 4.2 milionë eurosh, ai thekson se kjo shumë mund të ishte investuar në projekte jetike publike, si ndërtimi i një shkolle të re, një spitali, ose blerja e 30 autobusëve elektrikë për Tiranën – qytetin me transportin publik më të vjetëruar në Europë.

Për Xhemollarin, justifikimi i kryeministrit nxjerr në pah dyshimet se e vetmja “emergjencë” e vërtetë pas këtij akti ishte dështimi në shitjen e biletave dhe një fushatë e dobët marketingu. Ai shton se, në mungesë të një transparence nga institucionet, kjo krizë financiare e organizatorëve po mbulohet me taksat e qytetarëve, duke e vendosur kryeministrin në “rolin e kontraktorit të Kanye West”.

Nga BIRN

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

AKSK: Kujdes nga SMS-të që mund t’ju boshatisin llogarinë bankare, janë mashtrime online

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka evidentuar një...

BE për Serbinë: “Nuk është bërë mjaftueshëm, por duhet mbajtur larg Moskës”

Përplasje në Bashkimin Europian për anëtarësimin e Serbisë. Brukseli po...