Ura e telit në fshatin Drisht vijon të mbetet një shqetësim serioz për banorët e zonës. Vetëm pak muaj pas ndërhyrjes së fundit nga Bashkia Shkodër, dërrasat e urës janë dëmtuar sërish, duke e kthyer kalimin në një rrezik të përditshëm për këmbësorët. Sipas banorëve, gjendja aktuale e urës mund të sjellë pasoja të rënda, pasi ajo përdoret çdo ditë nga dhjetëra qytetarë dhe nxënës që lëvizin mes fshatrave.
Pamjet tregojnë dërrasa të thyera dhe pjesë të amortizuara të strukturës, ndërsa banorët akuzojnë institucionet për ndërhyrje të përkohshme që nuk kanë zgjidhur problemin. Ata kërkojnë një rikonstruksion të plotë dhe të qëndrueshëm të urës, duke theksuar se riparimet sporadike nuk po rezistojnë më shumë se disa muaj.
Ndërkohë, premtimi i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për realizimin e një projekti të plotë për urën, sipas banorëve, ka mbetur ende në letër. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme përpara se situata të përfundojë në një tragjedi.

